Ardian Gjini raporton para Kuvendit të Komunës së Gjakovës

Kuvendi Komunal i Gjakovës, i kryesuar nga Anton Shala, sot ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt ku ka shqyrtuar dhe miratuar të gjitha pikat e propozuara nga kryesuesi. Pas pyetjeve të parashtruara për ekzekutivin nga anëtarët e Kuvendit, kryetari i Komunës, Ardian Gjini, ka dhënë raportin për situatën ekonomike-financiare të Komunës së Gjakovës dhe zbatimin e planeve investuese të Komunës për periudhën Janar-Qershor 2019. Në kontekst të këtij raporti, kryetari Ardian Gjini ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe kohore janë prokuruar gjashtëdhjetë aktivitete, në shumë prej 20 milion e 651 mijë euro, apo krahasuar me njëmëbëdhjetë vjetëshin e fundit, ka dallim shumë të theksuar krahasimor për çdo vit, përfshirë dhe dy vitet më të mira, që krahasuar me to shkon në katërqind përqind më shumë. Nga kyetari Ardian Gjini është treguar edhe për investimet tjera kapitale zhvillimore në komunën e Gjakovës dhe se për transparancë të plotë raporti i tërësishëm do të jetë i publikuar veçmas në faqen zyrtare të Komunës.

Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka prezentuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Gjakovës për vitin 2018, të cilin e ka vlerësuar si pozitiv, ndërkohë që nga i njëjti drejtor është dhënë informata financiare e Komunës së Gjakovës për periudhën Janar-Qershor 2019. Në këtë raport konstatohet se buxheti periodik është 26.707.701,11 euro. Gjatë kësaj periudhe buxhetore janë alokuar mjete në vlerë prej 16.766.608,76 euro, ndërsa janë shpenzuar 11.447.121,03 euro e buxhetit të alokuar. Pos të dhënave të tjera, nga drejtori Durim Halilaj është bërë e ditur se realizimi i të hyrave vetanake për këtë periudhë kohore ka rritje nga planifikimi i bërë, ku është arritur që të realizohen mjete në shumë prej 1,825,491.79 euro.

Majori Kristë Gjokaj, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë, në informatën e tij mbi gjendjen e sigurisë në komunën e Gjakovës, ka konstatuar se situata e qetësisë dhe e sigurisë në komunën e Gjakovës në gjashtë muajt e parë të këtij viti ishte e qetë dhe stabile, pa ndonjë dukuri të specifikuar. Gjatë kësaj kohe ka ndodhur një rast vrasje, një rast vetëvrasje, dhe një tjetër tentim-vrasje. Ndërkohë që nga aksidenti me pasoja fatale ka pasur një rast. Si raste të raportuara për dhunë në familje kanë qenë pesëdhjetë e tri sosh, ndërkaq si raste të raportuara për posedim të drogës kanë qenë njëzet e nëntë sish. Gjithsejt raste të paraqitura kanë qenë 592.Nga major Kristë Gjokaj është dhënë edhe raporti (informata) rreth aktiviteteve të KKSB-së.

Nga anëtarët e Kuvendit Komunal sot janë miratuar edhe propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër për pronat e paluajtshme komunale (kiosqeve), propozim-vendimi për themelimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale (kiosqeve), propozim-vendimi për themelimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, sipas vendimit 01 Nr.‪20-37472‬, të datës 210.07.2016, si dhe propozim-vendimi për themelimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, lokacioni te tregu në Orize.
Në dy pikat e fundit të rendit të ditës janë dhënë raportet e punës për Ndërmarrjen Publike Komunale “Ngrohtorja e Qytetit” dhe të Ndërmarrjes Publike Komunale “ KRM Çabrati”, ku puna e tyre është vlerësuar si e mirë.