Argjentina u bashkohet shteteve të pakta që e lejojnë abortin

Argjentina është bërë shteti më i madh i Amerikës Latine që e legalizon abortin. Ky ndryshim historik erdhi me 38 vota për dhe 29 kundër në Kongres.

Sipas ligjit të ri, aborti lejohet në 14 javët e para të shtatzënisë. Ligji u miratua më herët këtë muaj në dhomën e ulët, pasi u dërgua në Kongres nga presidenti majtist, Alberto Fernandez, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Është një Argjentinë hipokrite që e mohon abortin, njësoj siç e mohonte homoseksualitetin”, tha Fernandez para votimit, duke e quajtur abortin “problem të shëndetit publik”, jo çështje të policisë.

Ai shtoi se që nga rikthimi i demokracisë më 1983, mbi 3.000 gra kanë vdekur si rezultat i aborteve të pasigurta dhe të fshehta në Argjentinë.

Argjentina u bë vetëm shteti i tretë në Amerikën Jugore që e lejon abortin pas Uruguajit më 2012 dhe Guajanës më 1995. Aborti lejohet që nga viti 1965 edhe në Kubë dhe në dy rajone të Meksikës.

Në Kolumbi, aktivistët kanë dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar që aborti të hiqet nga kodi penal si vepër e dënueshme. Kërkesë për dekriminalizimin e abortit është dorëzuar edhe në Brazil, ku Gjykata Supreme ende nuk ka kthyer përgjigje./express