ARKEP del me reagim për çështjen Telekomi – Z Mobile

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), përmes një komunikate dërguar mediave, ka njoftuar opinionin se në lidhje me procesin e shkëputjes së kontratës ndërmjet operatorit Telekomi i Kosovës dhe operatorit Dardafon.net, është njoftuar dje zyrtarisht nga Telekomi i Kosovës.

“Marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të rrjetit dhe operatorëve virtual aktualisht në Kosovë janë të lejuara me marrëveshje komerciale. Në njoftimin e vet, Telekomi i Kosovës është zotuar se në pajtim me kushtet kontraktuale komerciale do të aplikoj një periudhe tranzitore në funksion të mbrojtjes së të konsumatorëve për mos ndërprerje të shërbimit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ARKEP.

Aty më tej theksohet se “ARKEP është duke analizuar situatën e krijuar dhe në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi do të ndërmarrë veprime rregullative nëse një gjë e tillë është e nevojshme në ditët në vijim, pas sqarimeve të pranuara nga palët në proces”.

ARKEP ka theksuar se në punën dhe në marrjen e vendimeve të veta është i pavarur nga çdo palë tjetër dhe se do të ndërmarrin të gjitha hapat ligjor me qëllim që mbrojtjes së të drejtave të përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës.