Armatosja e Serbisë nga Rusia përbën kërcënim direkt për Kosovën dhe rajonin

Të dielën çekët festojnë 30 vjetorin e Revulucionit të Kadifenjtë, i cili e përmbysi regjimin komunist në Evropën Qendrore. Pas tri dekadave Moska po bënë përpjekje ta rikthej ndikimin në Evropë dhe në Ballkan.

“Front Online” nëpërmjet një analize thekson përfitimet që kanë pasur shtetet e ndryshme nga përmbysja e regjimit komunist në Evropë dhe për luftën që po bënë Rusia për t’u rikthyer

Sa i përket armatosjes së Serbisë nga Rusia, profesori Enver Hasani thotë se kjo është më shumë një frikësim dhe shantazh ndaj Evropës.

“Me këtë Serbia do të thotë dy gjëra: E para, se nuk mërzitet nëse Evropa nuk e futë brenda dhe e dyta, që Kosova akoma nuk është e humbur. Kjo armatosje, megjithatë, nuk është krejt pa bekimin e vendeve të caktuara të NATO-s, gjë që u pa nga reagimi zyrtar i Sekretarit të saj për këtë çështje”, shprehet ai.

Ndërsa Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson se armatosja e Serbisë nga Rusia përbën kërcënim të drejtpërdrejt për Kosovën dhe rajonin.
“Ajo e aktivizon të ashquajturën ‘dilemën e sigurisë’, ku shtetet fillojnë t’i nënshtohren detyrimisht ciklit të armatosjes për shkak se X shteti fqinj po armatoset. Dhe atë, pa identifikuar asnjë kërcënim ushtarak të drejtpërdrejt”, shprehet Qehaja.

Sipas tij, vendosja e raketave me rreze të gjata veprimi në Serbi do ta tundë balancin e forcave në terren dhe do të duhej ta vendosë në lëvizje NATO-n dhe anëtarët e saj.
Qehaja ka shtuar se lidershipi aktual dhe, siç thotë ai, mbase i ardhshëm i Serbisë është mjaft i pabesueshëm në kontekst të veprimeve të mundshme, të cilat jodomosdoshmërisht do të manifestoheshin në formë të invazionit ushtarak, mirëpo të provokimeve sporadike me efekte të mëdha në aspektin e sigurisë.