Armenët akuzojnë Azerbajxhanin se po ua arreston ushtarët pavarësisht armëpushimit

Udhëheqësi i enklavës së kontrolluar nga armenët etnikë, Nagorno-Karabak, të mërkurën i akuzoi forcat azere se i kanë arrestuar dhjetëra trupa armene, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit më 10 nëntor.

Ministria e mbrojtjes e këtij rajoni tha më herët se e ka humbur kontaktin me disa pozicione ushtarake të martën dhe ka kryer operacione kërkimi gjatë tërë natës, por ka dështuar t’i gjejë ushtarët.

Ndryshe, Azerbajxhani para pak ditëve arrestoi katër ushtarë të ushtrisë së vet, të dyshuar për krime lufte. Lajmin e bëri të ditur të hënën Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit.

Ata akuzohen për gjymtim të trupave të ushtarëve armenë, trajtim çnjerëzor të trupave armike dhe shkatërrim apo dëmtim të varrezave të armenëve, shkruan Al Jazeera, transmeton Gazeta Express.

Në deklaratën e prokurorisë thuhet se ushtarët i kanë incizuar me telefon veprimet e tyre dhe i kanë shpërndarë pamjet në rrjetet sociale.

Më herët, Armenia dhe Azerbajxhani e kanë akuzuar njëra-tjetrën për krime lufte dhe përdorim të të ashtuquajturave bomba kasetë, të cilat janë të ndaluara në mbi 100 shtete.

Marrëveshja e armëpushimit mes palëve u nënshkrua më 10 nëntor, me ndërmjetësimin e Rusisë. Sidoqoftë, të dielën e kaluar u raportua se armëpushimi është shkelur.