Arrestimi i Nezir Mehmetajt nga policia serbe, nëna e tij rrëfen se si ndodhi gjithçka

Mehmetaj është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare teksa po kthehej në Kosovë.

Në orët e hershme të së premtes, bashkë me të birin e saj Nezir Mehmetajn mori rrugën drejt Nishit të Serbisë, për të kërkuar shërim.

Por Nazlie Mehmetaj nga ky rrugëtim u kthye pa djalin e saj.

Nezir Mehmetaj në pikëkalimin kufitar në Merdare u arrestua me urdhërarrest të lëshuar nga gjykata serbe.

Nëna e tij ka treguar se i biri i cili jeton në Zvicër, asnjëherë më parë nuk kishte kaluar nëpër këtë kufi.

Pas një pritjeje prej 5 orësh, nënë e bir bashkë me një të afërm kaluan kufirin.

Aty ua lëshuan disa dokumente, përmes të cilave atyre do t’iu mundësohej edhe kthimi.

Pas vizitës te doktori familja Mehmetaj mori rrugën drejt Kosovës. Por ky rrugëtim iu zgjati më shumë se që e kishin menduar.

Të njëjtat dokumente që iu kishin lëshuar në kufi paraprakisht, tash po iu nxirrnin telashe.

Sa ishte bashkë me familjarët në veturë, Nezirin e kishin pyetur për emrin e prindit.

E fill pas kësaj 49 vjeçarin e morën me vete.

Nazlie Mehmetaj bashkë me një të afërm e kishin pritur për tri orë me radhë kthimin e të birit, por kjo pritje nuk u rezultoi e suksseshme.

Neziri i cili kishte shkuar si 17 vjeçar për të jetuar në Zvicër, nuk kishte qenë as gjatë luftës në Kosovë. Prandaj familja nuk ka ndonjë ide se pse mund ta kenë ndalur.

E vetmja arsye që mund të ekzistojë sipas tyre është pasi që babai i Nezirit, Mustafa, kishte qenë i arrestuar nga serbët gjatë periudhës së luftës.

Orët ishin të gjata për familjen Mehmetaj dhe krejt çka ata morën pas shumë orësh pritje, ishte një mesazh nga Neziri. / Express