Arrijnë ndihmat e para në Gaza, armëpushimi po respektohet

Disa orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit mes Izraelit dhe militantëve palestinezë, në Gaza kanë arritur ndihmat e para humanitare për civilët e goditur nga konflikti i përgjakshëm 11-ditor.

Mijëra palestinezë u kthyen në shtëpitë e tyre. Sidoqoftë, shumë prej tyre krejt çfarë gjetën ishin gërmadhat. Zyrtarët thonë se procesi i rindërtimit mund të zgjasë disa vjet, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Foto: EPA

Kamionët e agjencive të ndryshme, përfshirë ato që janë të lidhura me Kombet e Bashkuara, filluan të sjellin në Gaza ushqim, ilaçe dhe karburante, pasi Izraeli e hapi pikëkalimin kufitar “Kerem Shalom”.

Më shumë se 100.000 njerëz u detyruan që t’i braktisnin shtëpitë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, ndërsa rreth 800.000 nuk patën qasje në ujë të ujësjellësit, sipas organizatës UNICEF.

Më shumë se 250 persona janë vrarë në konfliktin që filloi më 10 maj e që zgjati 11 ditë. Shumica e viktimave janë palestinezë, ndërsa në mesin e tyre ka dhjetëra gra e fëmijë.

Edhe Izraeli, edhe Hamasi e kanë shpallur fitoren, por ekspertët e sigurisë dhe të politikës thonë se konflikti nuk do të zgjidhet pa një marrëveshje politike.