Arsim Bajrami largohet nga PDK-ja, kjo është letra e tij e dorëheqjes

Arsim Bajrami ka bërë me dije se më nuk do të jetë pjesë e angazhimit politik në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në çfarëdo pozite në këtë subjekt politik.


Ai thotë se këtë veprim e ndërmerr për t’iu lëshuar rrugë gjeneratave të reja, ndërsa falënderon anëtarët e simpatizantët e PDK-së që e mbështetën për 20 vite, shkruan Reporteri.net.

Postimi i plotë:

Sot po zhvillohet Konventa e IX Zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës dhe siç e kam njoftuar para disa ditësh, me një letër informuese, Kryetarin z. Veseli, dëshiroj që edhe përmes këtij rrjeti social, të njoftoj me falënderim dhe mirënjohje anëtarët, simpatizantët, votuesit dhe strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, për vendimin tim për të heq dorë nga çfarëdo propozimi apo nominimi për t’u zgjedhur në strukturat partiake.

E vlerësoj lartë me mirënjohje, mbështetjen dhe besimin e anëtarëve, simpatizantëve e votuesve të devotshëm dhe strukturave e lidershipit të Partisë Demokratike të Kosovës, për mbështetjen dhe besimin e parazervë, për gati 20 vite, që si njëri ndër themeluesit e Partisë, më kanë besuar dhe zgjedhur në funksionet më të larta partiake, politike e institucionale.

Konsideroj që tani pas, gati dy dekada, është e rrugës të ofrojë edhe një kontribut modest me shembullin personal, që angazhimi aktiv partiak e politik, duhet ta ketë një fillim dhe fund të arsyeshëm dhe të dinjitetshëm, duke ofruar hapësirën e nevojshme për gjeneratat më të reja, ndërsa do të vazhdojë të mbetëm një anëtar i thjesht dhe votues i PDK-së, dhe të ofrohem gjithnjë, më të gjitha kapacitetet, si zë i arsyes dhe këshillës e kritikës dashamirëse, të cilat jam përpjekur e angazhuar t’i promovoj, tash e gati dy dekada me radhë, në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke qenë krenar për bashkëpunimin që kemi pasur, uroj që Partia Demokratike e Kosovës, të zhvilloj një proces zgjedhor kredibil, legjitim dhe në frymën demokratike.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!