Arton Zekaj vesh fanellën e Kosovës

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka pritur sot në zyrën e tij futbollistin e ri Arton Zekaj, pjesë e klubit francez, Lille, i cili ditë më parë është pajisur me pasaportë të Kosovës dhe do të jetë pjesë e Kombëtares U21.

Të pranishëm në takim ishin edhe babai i futbollistit, Din Zekaj si dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxheri i ekipit kombëtar U21, Zgjim Sojeva.

Babai i futbollistit u shpreh i lumtur që tashmë djali i tij do të jetë pjesë e Kosovës, derisa ka shprehur falënderime për të gjithë trajnerët që kanë punuar me Artonin gjatë zhvillimit të tij si futbollist në Serbi.

“Ne i jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar dhe që e kanë ngritur në këtë nivel Artonin, por edhe menaxherit Milan Kesiç, i cili na ka përkrahur që ta realizojmë dëshirën që Artoni të luaj për Kosovën. Kjo pa dyshim do t’i ndihmoj të rritet edhe më tutje profesionalisht”, ka thënë babai i futbollistit.

Ndërkaq, vetë futbollisti e ka falënderuar për përkrahjen, derisa është shprehur i lumtur që do ta veshë fanellën e Kosovës, që është vendi i origjinës së tij. Në fund, kryetari Ademi ia ka dhuruar Arton Zekajt një fanellë të Kombëtares, të cilën ai do ta veshë për ekipin U21 që nga ndeshjet e muajit shtator, ngase për dy ndeshjet e qershorit kundër Andorës dhe Turqisë nuk do të mund të jetë në shërbim të përzgjedhësit Rafet Prekazi për shkak të lëndimit.