ATK-ja s’di çfarë t’i bëjë Safet Krasniqit, i dyshuar për keqpërdorim të rreth 4 milionë eurove

Rreth 4 milionë euro dyshohet se është dëmi që ia ka shkaktuar buxhetit të shtetit ish-ushtruesi i drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, Safet Krasniqi.

Një javë pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare, institucioni ku punon Krasniqi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj tij.

KTV-ja merr vesh se Krasniqi po vazhdon ta ushtrojë detyrën e tij pa ndonjë problem si menaxher në njësinë e inteligjencës në ATK-së.

Administrata Tatimore e Kosovës është arsyetuar se nuk po mund të marrë asnjë masë ndaj Krasniqit për shkak të pezullimit të Ligjit për shërbyesit civilë dhe Ligjit për zyrtarët publikë.

ATK-ja, në një përgjigje me shkrim për KTV-në, thotë se ka kërkuar interpretim nga Ministria e Administratës Publike për këtë rast se si të veprojë, mirëpo edhe ky institucion nuk i ka udhëzuar për ndonjë veprim konkret për shkak të pezullimit të Ligjit nga Gjykata Kushtetuese.

“Meqë Ligji për Shërbyes Civil dhe Ligji për Zyrtar Publik për këtë çështje kanë mospërputhje të dispozitave ligjore, të cilat rregullojnë këtë situatë, si dhe duke pas parasysh se kemi një situatë të paqartë, se cilin nga ligjet e lart përmendura duhet zbatuar, atëherë ne kemi adresuar kërkesë në MAP për interpretim dhe nga po të njëjtit jemi njoftuar se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetues, se si të veprohet pas vendimit për pezullimin e Ligjit për Zyrtarë Publik që ka marrë kjo gjykatë”, ka thënë Administrata Tatimore e Kosovës në një përgjigje dhënë KTV-së.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga vetë Krasniqi, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Por, Arton Demhasaj nga Çohu, thotë se nuk ka asgjë të paqartë për masat që do të duhej të merreshin për zyrtarin e ATK-së dhe se pezullimi i Ligjit të shërbyesve civil nuk do të duhej të ishte pengesë që ai të suspendohet.

Sipas nenit 69 të Ligjit për nëpunësit civilë, që momentalisht është në fuqi parashihen rastet kur nëpunësit civilë mund të pezullohen nga detyra me 50 % të pagës.

Kjo mund të bëhet kur ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj ushtruesit të detyrës të drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, Safet Krasniqi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sepse për 6 vjet radhazi u kishte siguruar kundërligjshëm dobi pasurore 120 bizneseve ekonomike dhe vetes.

Sipas aktakuzës, Krasniqi për disa biznese nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet, vizitë, kontrolle, rikontrolle e as inicim të procedurave penale.

Skandali i evazionit fiskal ishte zbuluar kur sinjalizuesi Murat Mehmeti doli publikisht dhe foli për miliona euro të keqpërdorura nga ish-shefi i tij dhe për shmangie nga tatimi të rreth 200 bizneseve kosovare.

Pikërisht për këtë sinjalizim, Mehmeti dy herë ishte degraduar nga pozita. / Koha.net