ATK-ja zhbllokon xhirollogaritë e Postës së Kosovës

Zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, janë takuar sot me ministren e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami dhe drejtorin e përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, takim ky që rezultoi me konfirmimin e zhbllokimit të xhirollogarive bankare të Postës së Kosovës.

Në këtë takim të përbashkët, ata biseduan format për gjetjen e mundësisë reale të kryerjes së obligimeve financiare të Postës së Kosovës ndaj ATK-së, përmes një riprogramimi të borxhit, që do të nënkuptonte edhe zhbllokimin e menjëhershëm të xhirollogarive bankare.

“Gjithashtu, dy zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, së bashku me përfaqësuesin e Sindikatës së Punonjësve, Bujar Shala u takuan edhe me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, me të cilin bashkëbiseduan rreth funksionimit të ndërmarrjes, për problemet dhe sfidat e ballafaqimit të saj gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Qëllimi i këtyre takimeve ishte që të kërkohet përkrahje nga Qeverisa e Kosovës si aksionar i Postës së Kosovës, e cila përgjatë kësaj kohe ka probleme të mëdha financiare, me rënien e të hyrave për shkak të pandemisë, rritja e borxhit ndaj ATK-së, e cila pati bllokuar dje llogaritë bankare Postës së Kosovës. Ata shfaqën brengat e tyre, që Posta e Kosovës po humbë financiarisht nga Shërbimi Universal Postar që po e kryen rregullisht si detyrim ligjor që ka, ndërsa nuk po rimbursohet nga Qeveria e Kosovës. Për këtë deponuan edhe kërkesën me shkrim për kthim të borxhit të Qeverisë në vlerë rreth 5 milion euro, për të garantuar operacionalitetin dhe funksionalitetin e ndërmarrjes”, thuhet në njoftim.

Më 23 korrik ishin bllokuar edhe xhirollogaritë e Postës nga ATK-ja për borxhet e viteve 2018-2019.