ATK konfiskon 500 mijë euro pasuri nga tatimpaguesit qe kanë borxhe

Administrata Tatimore e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka konfiskuar pasurinë e tatimpaguesve që nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për pagesën e borxheve.

ATK njofton se vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 500 mijë euro.

“Procedura e konfiskimit në bashkëpunim me Policin e Kosovës, është zhvilluar ndaj gjashtë (6) tatimpaguesve sipas planit paraprak, ndërsa, vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 500,000 euro”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

ATK ka njoftuar se përveç konfiskimit të pasurisë,  aksioni në fjalë  do  të  shtrihet edhe në mbledhjen e të  gjitha gjobave mandatore, të cilat janë të pa-paguara.

ATK ka bërë apel që të gjithë tatimpaguesit borxhlinj t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore.

“Aksionet e ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, andaj inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme.

Fokusi ynë vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore”, thuhet në komunikatë.