Autori i sulmit në Virginia Beach vdes, nuk ishte i kënaqur me punën e tij

Lajm i përditësuar – Sulmuesi i cili vrau 11 persona dhe plagosi gjashtë të tjerë të cilat janë duke u trajtuar në spital, nuk ishte i kënaqur me punën e tij në qendrën komunale në Virginia Beach, kanë shkruar mediat e huaja.

Sipas policisë, i dyshuari ka qenë duke punuar në këtë qendër komunale, ndërsa sulmi kishte ndodhur pikërisht brenda ndërtesës.

Ndërkaq, polici i cili u plagos gjatë sulmit në Virginia Beach ishte qëlluar me armë nga i dyshuari, por jeleku anti-plumb e kishte shpëtuar atë, ka theksuar shefi i policisë së këtij qyteti, Jim Cervera. Ai ka theksuar se i dyshuari për këtë sulm ka vdekur pasi policia i ishte kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë, ka raportuar CNN.

Kreu i Virginia Beach, Bobby Dyer, teksa fliste i emocionuar për atë se çfarë kishte ndodhur, ka thënë se kjo ka qenë “ditë më shkatërrimtare” në historinë e qytetit. “Njerëzit e përfshirë janë miqtë, bashkëpunëtorët, fqinjët dhe kolegët tanë”, ka deklaruar ai.

Reagon guvernatori për sulmin në Virginia: Kjo është ditë tragjike!

Lajm i përditësuar – Guvernatori i shtetit amerikan, Virginia, Ralph Northam, ka reaguar pas sulmit në Virginia Beach, ku humbën jetën 11 persona dhe disa të tjerë u plagosën. Ai e ka quajtur sulmin “ditë tragjike”.

“Kjo është ditë tragjike për Virginia Beach dhe tërë komunitetin tonë. Zemra ime është thyer për viktimat e këtyre të shtënave shkatërruese, familjet e tyre dhe të të gjitha atyre që i donin. Tani jam nisur për në Virginia Beach dhe do të mbërrij atje brenda një ore”, ka shkruar guvernatori Northam, në Twitter.

Sulm i tmerrshëm në Virginia të SHBA-së, 11 persona të vrarë

Gjatë orëve të pasdites, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tronditur nga një sulm me armë në Virginia, ku kanë humbur jetën dhjetëra persona.

Së paku njëmbëdhjetë persona kanë mbetur të vrarë dhe gjashtë të tjerë rezultojnë se janë plagosur, në shtetin Virginia, të SHBA-së. Kjo për shkak të një gjuajtjes me armë që ka ndodhur në Qendrën Komunale të Virginia Beach, ka bërë të ditur policia amerikane.

Sipas policisë, i dyshuari për këtë sulm punonte pikërisht këtë qendër komunale, i cili kishte qitur me armë në mënyrë të hapur.

Media ndërkombëtare, duke cituar policinë e këtij shteti, raportojnë se sulmuesi që dyshohet për këtë rast ka vdekur tashmë, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe një zyrtar policor.