Autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për aksionin në veri

Autoritetet serbe kane qenë të njoftuara për aksionin në veri të Policisë së Kosovës më 28 maj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Vincenso Grasso.

I pyetur nëse autoritetet në Serbi e dinin këtë një ditë para operacionit, Graso u përgjigj: “Unë mendoj se ata e dinin”.

“Gjatë operacionit ne kemi komunikuar me institucionet e Kosovës, komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet serbe. Ne komunikojmë me ushtrinë (serbe) dhe jo Qeverinë”, tha Grasso.

Ai tha se presidenti serb Vuçiq, disa herë e ka paralajmëruar këtë aksion.

“Ne nuk e kemi ditur 10 ditë më parë mirëpo Vuçiq ka thënë se NATO i kishte njoftuar autoritetet serbe”, tha Grasso.

“Jam i habitur që të gjithë janë të befasuar. Ne vazhduam të komunikonim. Gjatë operacionit ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe të gjithë janë informuar. Ne u njoftuam një ditë më parë”, tha ai.

Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policor dhe doganierë.

Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore. /Radio Evropa e Lirë/