Autoriteti i Konkurrencës: Komuna e Prishtinës të ofroj kushte të barabarta për kiosqet

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që të ofrojë kushte të barabarta në lidhje me zbatimin e procedurave për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.

Komuna e Prishtinës javë më parë kishte përcaktuar dizajnet për 36 kiosqet që planifikohej të vendoseshin në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Por problematike ishte paraqitur kushti që operatori ekonomik duhet të kishte qarkullim prej 5 milionë eurosh në 3 vitet e fundit.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e mbajtuar në fillim të këtij muaji kishte bllokuar vazhdimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të kiosqeve pasi pronarët aktual të kiosqeve kishin protestuar duke pretenduar se do të përjashtoheshin apriori nga gara.

Në njoftimin e lëshuar nga AKK, thuhet se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Komisionin Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, i caktuar me Vendimin 01-020/04-194122/18, të datës 08.08.2018 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, të rishikoj kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik, të datës 15.06.2019, për Dhënien e Pronës së Palujtshme, në Shfrytëzim Afatshkurtër për Periudhën 15 vjeqare, për qoshqe.

Autoriteti, konstaton se çdo kufizim ligjor apo faktik përmes kushteve dhe kritereve të caktuara për operatorët të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar nuk është e dëshirueshme, në zbatim të politikave të Konkurrencës.

Komisioni i lartëcekur në paragrafin (I) të këtij dispozitivi, duhet të ofroj kushte të barabarta për transaksione të njëjta për operatorët ekonomik, duke i vendosur të njejtët në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë.