AUV fiton donacion nga Caritasi Zviceran

Caritasi Zviceran dhuroi pajisjet për testimin e cilësisë së mjaltit dhe analizën e polenit Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë, në kuadër të projektit “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale – PASURI”. Kjo është një risi pasi që tani në Kosovë është e mundur të sigurohet cilësia e mjaltit vendor dhe të përcaktohet origjina e tij.

Qëllimi i këtij donacioni është rritja e kapacitetit të sektorit të mjaltit me njohuri, metoda dhe pajisje për testimin e cilësisë së mjaltit në harmoni me rregulloret kombëtare dhe të BE-së. Në fazën e dytë, Caritasi Zviceran do të trajnojë dhe aftësojë stafin e laboratorit për realizimin e këtyre analizave që do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të mjaltit dhe të bletarisë në Kosovë

Është mirë të dallosh mjaltin vendor të prodhuar në Kosovë. Gjithashtu, është e mundur të identifikohet origjina e mjaltit vendor duke dalluar disa varietete të polenit kryesor duke përdorur metodën laboratorike të analizës së polenit. Poleni kryesor zakonisht gjendet në rajone të veçanta si për shembull në malin e Sharrit për shkak të vegjetacionit specifik. Duhet të përcaktohet brendimi rajonal me kritere të dallueshme.

“Shpresoj që ky laborator me ndihmën e pajisjeve të dhuruara dhe stafit të trajnuar për analizat e polenit do të mbështesë identifikimin e mjaltit cilësor vendor “, tha Vera Haag Arbenz, drejtoreshë e Cartiasit Zvicëran në Kosovë.

Z. Valdet Gjinovci, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë theksoi se këto pajisje të dhuruara do të rrisin kapacitetet e agjencisë dhe kontributin e saj në zhvillimin e sektorit të mjaltit në përgjithësi dhe më saktësisht në përmirësimin e cilësisë së mjaltit të prodhuar nga bletarët vendas.

Bletaria si një biznes fitimprurës në Kosovë jep mundësi të mira për gjenerimin e të ardhurave lokale dhe rritjen e mirëqenies së fermerëve. Bazuar në angazhimet dhe aktivitetet e mëparshme në fushën e bletarisë, Caritasi Zviceran synon të rrisë përfshirjen dhe kontributin e tij, përveç në nivel lokal me grante, edhe në nivel qendror, në bashkëpunim me Lidhjen e bletarëve të Kosovës, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.