Avancime të kundërligjshme në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Periudha e transferimit të pushteteve pas zgjedhjeve të 6 tetorit, po shfrytëzohet si teren i përshtatshëm për rehatimin e stafit nëpër institucionet buxhetore të shtetit.

Përveç dukurisë së hapjes së konkurseve, gjatë kësaj periudhe të vakuumit institucional, nëpër ministri dhe organizata që financohen me para të shtetit, po bëhen gradime e rokada të personelit në pozita të larta, shkruan Gazeta Sinjali.

Një praktikë e tillë po ndiqet edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Drejtori Ekzekutiv i kësaj agjencie, Valdet Gjinovci, së fundi ka emëruar inspektorin sanitar, Jemin Gjuraj në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Udhëheqësit të AUV në Zyrën Rajonale të Prishtinës.

Sipas vendimit që posedon Gazeta Sinjali, personi në fjalë është sistemuar në këtë detyrë prej datës 8 tetor 2019 ndërsa është graduar me koeficientin 9 të pagesës.

Një sinjalizues nga ky institucion e ka njoftuar redaksinë e Gazetës Sinjali se ky avancim është në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë i cili garanton konkurrueshmëri të drejtë dhe të barabartë, i cili nuk është marr parasysh nga drejtuesit e kësaj agjencie.

Sipas sinjalizuesit, për çdo avancim që tejkalohet ose rritet koeficienti i pagës, duhet të shpallet konkurs i brendshëm.

Sot Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se qeveria në ardhje do t`i shfuqizojë të gjitha avancimet dhe konkurset e bëra gjatë tranzicionin qeverisës nëpër ministri, ndermarrje publike e agjenci që financohen nga buxheti i shtetit. /Gazeta Sinjali/