Avdullah Hoti i prerë: Dialog teknik nuk ka, draftimi i marrëveshjes finale fillon këtë javë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë detaje të reja sa i takon vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në një konferencë për media, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se është parashikuar një takim për të enjten e kësaj jave në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, e ku sipas tij, do të diskutohet për draftimin e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog të cilin do ta emëroj së shpejti, për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces”, deklaroi Hoti.

Shefi i ekzekutivit përjashtoi çdo mundësi që të ketë rinisje të procesit teknik të dialogut me Serbinë.

“Dialog teknik nuk ka. Ka dialog vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, shtoi Hoti.

Kundër bisedimeve teknike është shprehur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se bisedimet në një format të tillë janë zhvilluar për 9 vitet e kaluara.

“Është proces që duhet të përmbyllet, jo në aspektin teknik, ngase aspektin teknik e kemi diskutuar tash e 9 vite, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më shpejt që është e mundur”.

Për këtë, ai ka kërkuar unitet brenda Kosovës si dhe midis Uashingtonit dhe Brukselit.

“Edhe faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar. Një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj i pranueshëm për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Thaçi .

Këto komente Hoti dhe Thaçi i bënë pas takimeve të ndara që kishin me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë./en/