Avokati i PDK-së pajtohet me vendimin e Gjykatës Supreme për Dragashin

Avokati Faton Fetahu, i cili përfaqëson kandidatin e PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabanin, ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Supreme e cila ka kërkuar që të urdhërohet votim i sërishëm për votimin me postë.

Ai ka thënë se ky vendim i Supremes përbën drejtësi për bashkëqytetarët tanë të Dragashit.

”Gjykata Supreme me këtë vendim po ashtu ka vendosur që për shkak të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe manipulimit të vullnetit politik të mërgatës, të urdhërohet votim i sërishëm për votimin me postë.
Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të z. Shaban Shabani, kandidat për kryetar i komunës së Dragashit, konsiderojmë se edhe ky vendim, përbën drejtësi për bashkëqytetarët tanë të Dragashit.”, ka shkruar Fetahu, përcjell LAJME365.
Postimi i plotë:
Vendimi i shumëpritur i Gjykatës Supreme të Kosovës, sapo u publikua!
Vulën e instancës më të lartë gjyqësore në vend, sot e kanë marrë të gjitha pretendimet që kemi ngritur për organizimin, orkestrimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor të votimit me postë për komunën e Dragashit
.
Ashtu siç kishte konstatuar dhe vendosur me të drejtë PZAP, edhe Gjykata Supreme konfirmoi se vullneti i votuesve të mërgatës ishte cenuar në mënyrën më të rëndë, andaj edhe devijimi i rezultatit zgjedhor, respektivisht shkelja arbitrare e të drejtës së mërgatës për të votuar në mënyrë të fshehtë, të lirë e të barabartë, u vërtetua.
Gjykata Supreme me këtë vendim po ashtu ka vendosur që për shkak të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe manipulimit të vullnetit politik të mërgatës, të urdhërohet votim i sërishëm për votimin me postë.
Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të z. Shaban Shabani, kandidat për kryetar i komunës së Dragashit, konsiderojmë se edhe ky vendim, përbën drejtësi për bashkëqytetarët tanë të Dragashit.
Siç e kam thënë edhe më herët, cenimi i integritetit të zgjedhjeve përmes manipulimit të vullnetit politik të mërgatës, përveç se përbën vepër penale dhe shkelje të ligjit zgjedhor, është njëkohësisht edhe përçmimi dhe nëpërkëmbja më e madhe që mund t’i bëhet dinjitetit të mërgatës – në emër të së cilës, subjekte politike e politikanë të papërgjegjshëm kanë përfituar politikisht.
Prandaj, ky vendim njëkohësisht do të krijojë edhe një standard të respektimit të vullnetit politik të mërgatës nga ana e të gjitha subjekteve politike në Kosovë, e cila mund dhe duhet të votojë në mënyrë të lirë, të fshehtë dhe të barabartë, si dhe, do të shërbej një shembull i mirë – mësimet e të cilit mund të jenë të dobishme në procesin eventual të reformës zgjedhore në Kosovë.
Uroj që rivotimi nga ana e qytetarëve me të drejtë vote, që jetojnë jashtë vendi, në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të komunës së Dragashit, të bëhet në mënyrë demokratike dhe të njëjtit të votojnë me bindje të lirë dhe personalisht të bëjnë zgjedhjen e tyre./lajme365.com