Avokati i Popullit: 11-vjeçarit nga Fushë Kosova që u dhunua dhe u vra, nuk iu ofrua ndihma e duhur

Prokuroria e Policia e Kosovës e kanë neglizhuar rastin e 11-vjeçarit, K. V., i cili u vra më 11 korrik, pasi edhe ishte dhunuar seksualisht.

Sipas një raporti të Institucionit të Avokatit të Popullit, këto dy institucione nuk kishin reaguar me kohë për t’ia ofruar mbrojtjen e duhur të miturit, raporton KTV.

“Avokati i Popullit konstaton se autoritetet përgjegjëse ishin në dijeni për rrezikun të cilit fëmija viktimë i ishte ekspozuar si fëmijë në situatë rruge dhe si fëmijë i abuzuar seksualisht, andaj edhe kanë dështuar në ndërmarrjen e masave në lidhje me detyrimet pozitive, respektivisht mbrojtjen e jetës së viktimës”, ka thënë Institucioni i Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit po ashtu konstaton se edhe Qendra për Punë Sociale ka vepruar me vonesë.

QPS-ja në Fushë Kosovë, konsiderohet se ka dështuar edhe në ofrimin e shërbimeve psikologjike. Gjithnjë sipas raportit, psikologja e kontraktuar ka mbajtur vetëm një seancë 25-minutëshe, me disa konstatime sipërfaqësore.

Mirëpo, pavarësisht këtyre konstatimeve, Policia e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim ndaj zyrtarëve që nuk kanë dhënë ndihmën e nevojshme.

Në një përgjigje për KTV-në, nga Inspektorati Policor thuhet se nuk janë gjetur elemente të veprës penale dhe lënda ka kaluar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës, për hetime të mëtutjeshme administrative e disiplinore.

“Pas zhvillimit të hetimit preliminar lidhur me të gjeturat, IPK është konsultuar me prokurorinë kompetente dhe pasi që nuk janë gjetur elemente të veprës penale, rasti është proceduar në Policinë e Kosovës, më saktësisht në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, për hetime të mëtutjeshme administrative – disiplinore”, ka deklaruar Zyra për Media e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Por, Policia e Kosovës ka thënë se për këtë rast duhet t’i drejtohemi vetëm Inspektoratit policor.

Ndërkaq, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë njoftuar që janë marrë disa masa e po presin edhe nga Gjykata Supreme të caktojë masën përfundimtare.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke u bazuar në kompetencat ligjore, ka vepruar lidhur me rastin që ju e potenconi dhe ka marrë masa. Mirëpo, pasi masat e marra nga KPK nuk janë përfundimtare, sepse legjislacioni në fuqi si institucion të vendimit përfundimtar e njeh Gjykatën Supreme, ne, derisa masat të marrin formën e prerë, nuk mund të japim më shumë detaje”, ka thënë Zyra për Media e Këshillit Prokuorial të Kosovës.

KTV-ja kishte raportuar edhe për masat disiplinore që ishin iniciuar ndaj prokurorëve Ruhan Salihu dhe Raze Loshaj, të dy këta që ishin marrë me rastin.

Edhe 5 muaj nga vrasja, ende nuk është ngritur as aktakuzë ndaj S. O., që po mbahet në paraburgim si i dyshuar për vrasjen e 11-vjeçarit. / Koha.net