Avokati i Ramabajës: Thaçi tregoi botërisht se aktakuza ndaj “Syrit të Popullit” është e tij

Avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron të akuzuarin Sadri Ramabaja, në seancën përfundimtare në rastin “Syri i Popullit”, ka thënë se lejimi që presidenti Hashim Thaçi në cilësinë e dëshmitarit të merrte në pyetje Ramabajën tregon që kjo aktakuzë është e tij dhe e montuar.

“Ky proces gjyqësor do të mbahet mend si proces i parë pas luftës, i pastër me motive politike, ku erdhën për të dëshmuar krerë të pushtetit dhe jo për të dëshmuar siç i obligon ligji”, ka thënë Krasniqi duke numëruar “shkeljet që ka lejuar gjykata gjatë procesit”.

Sipas Krasniqit, Gjykata ka bërë shkelje edhe duke mbyllur seancën në rastin e marrjes në pyetje të presidentit Hashim Thaçi, “të cilit gjykata në kundërshtim me ligjin i kishte lejuar ta marrë vetë në pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë të akuzuarin Ramabaja”.

“Hashim Thaçi e tregoi botërisht se kjo aktakuzë është e tij dhe se ky proces është i montuar politikisht”, ka shtuar ai. / Koha.net