Azemi: Puntorët po largohen nga puna, pakoja emergjente nuk mjafton

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, përmes një konference për media ka bërë të ditur se shumë kompani janë duke i larguar punëtorët nga puna. Po ashtu, kjo sindikatë vlerëson se pakoja emergjente e miratuar nga qeveria nuk është e mjaftueshme.

Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët e sektorit privat po ballafaqohen me shumë probleme.

“Ende shumë punëtorë ballafaqohen me mungesë të masave mbrojtëse. Shumë kompani janë duke i larguar punëtorët nga puna. Punëtorëve kanë filluar t’iu ulin pozitat dhe t’iu ofrojnë kontrata tjera gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai.

Azemi ka bërë të ditur se për këto shkelje, Sindikata i ka kërkuar Qeverisë ndërmarrjen e masave ndaj kompanive.

Sa i përket pakos emergjente, Azemi ndërkaq ka thënë se do të arrijë t’i paguajë të gjithë punëtorët e sektorit privat.

“Pakoja emergjente ka bërë një gabim shumë të madje, sepse nuk është konsultuar fare. Derisa ka ndarë mjete për pagat e punëtorëve, as ata nuk e dinë se për cilat kategori janë ndarë. Rreth 120 mijë punëtorë i kemi pa kontrata pune dhe me kohë e kemi ndarë me qeverinë. I bëj ftesë Ministrisë së Financave se nuk do të jetë e mjaftueshme shuma e paraparë. Të ketë një fond rezervë prej 36 milionë eurosh, për kategoritë që qeveria nuk i ka parë që të paguhen. Është jo serioze ta bëjmë një ndarje të tillë, mjekët stimulohen ndërsa punëtorët teknikë që i pastrojnë shtretërit e personave të sëmurë nuk paguhen”, tha ai, raporton ksp.

Ai po ashtu ka propozuar që të bëhet një nivelizim i pagave të punëtorëve të sektorit publik me ata të sektorit privat./koha.net