Bahtiri mbajti takim publik me qytetarë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, sot ka mbajtur takimin e parë publik me qytetarë për këtë vit, ku është diskutuar rreth punës së ekzekutivit të Komunës në periodën e parë gjashtëmujore të vitit 2019.

Në takim kanë marrë pjesë Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka dhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe qytetarë të shumtë.

Në takim, kryetari Bahtiri dhe drejtorët e drejtorive komunale i kanë njoftuar qytetarët detajisht për punën që kanë bërë dhe për realizimin e projekteve të planifikuara, ndërsa që qytetarët kanë shtruar pyetje lidhur me çështje të ndryshme të preokupimeve të tyre.

Fillimisht kryetari Bahtiri, në vija të trasha i ka informuar të pranishmit, me investimet e bëra deri më tani, për punën e ekzekutivit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, ku përfshihet infrastruktura në përgjithësi, mbështetja në bujqësi, infrastruktura shkollore, çështjet sociale dhe të tjera.

“Tani kur Komuna e Mitrovicës është një ndër komunat më të sigurta në vend, kur nuk kemi tensione dhe trazira, ju kemi kthyer me përkushtim realizimit të objektivave që kemi shtruar para qytetarëve të Komunës. Sot Mitrovica ka ndryshuar për të mirë falë punës së përbashkët me qytetarë duke ofruar lehtësira të shumta për bizneset si Parku i Biznesit në Mitrovicë, Liqeni Akumulues, projekti për lumin Ibër, rregullimi i shtratit të lumit Sitnica, ndriçimi publikë dhe shumë projekte të tjera “, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ndërkaq, qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të pranishëm në këtë tubim, mbështetën punën e kryetarit Bahtiri dhe të ekzekutivit të Komunës, duke dhënë njëkohësisht sugjerim dhe duke shtruar kërkesa të ndryshme.

Shqetësime më të mëdha për qytetarët, që gjatë diskutimeve u paraqitën, ishin kanalizimet, përkatësisht nevoja për vazhdimin e ndërtimit të sistemeve të kanalizimit, ndriçimi publikë, infrastruktura e energjisë elektrike, pasi në disa fshatra kanë probleme me rrjetin e dobët të energjisë elektrike.

Kryetari Bahtiri premtoj zgjidhje për kërkesat e qytetarëve brenda kompetencave të tij dhe mundësive buxhetore të komunës, njofton Zyra për Informim e Komunës së Mitrovicës së Jugut.