Bajqinovci: Hyra në politikë për ta vazhduar luftën kundër korrupsionit

Mefail Bajqinovci, që së fundi ka aderuar në Vetëvendosje dhe është në listën e kandidatëve për t’u bërë deputet, ka thënë se ka hyrë në politikë për të vazhduar kauzën e luftimit të korrupsionit.

“Mendoj se kam dhënë maksimumin tim në luftimin e korrupsionit me emisionin Puls në KTV. Kam menduar ta vazhdojë këtë luftë duke qenë në politikë. Institucionin e kam ndërruar por kauzën jo”, ka thënë Bajqinovci në Interaktiv të KTV-së.

Ai është përgjigjur se pse ka zgjedhur Vetëvendosjen për këtë gjë.

“E kam menduar se si do dukesha në PDK, ku kanë vjedhur, si do dukesha në LDK, ku kanë marrë tenderë. I përshëndes qytetarët që kanë mirëpritur kalimin tim në Lëvizjen Vetëvendosje. Kam punuar edhe në Agjencinë Antikorrupsion dhe i njoh mirë institucionet”, ka thënë Bajqinovci.

Bajqinovci është përgjigjur edhe për akuzat që po i bëhen nga oponentët se është mik i Aleksandër Lumezit.

“Do ta fillojmë vettingun nga kryeprokurori, se po ma përmendin këta tradhtarët se e kam shok, por do të nisim nga instancat më të larta. Kurrfarë shoqërie nuk kam me të. E kam përkrahur kur është zgjedhur se të gjithë kemi menduar se do të bëjë diçka, por ai na dëshpëroi. Fotografinë e kam fshirë para dy vjetësh, në momentin kur e kam kuptuar se është dorë e zgjatur e Hashim Thaçit, kur e kam parë se po flirton me pushtetin”, ka thënë ai.

I pyetur se a mendon tash si Vetëvendosjes, se “Aleksandër Lumezi është lepur”, Bajqinvci ka thënë se “ai është përtej lepurit madje”.

Bajqinovci ka thënë se ai do t’i prijë luftës anti-korrupsion nëse do të bëhet deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse zgjidhem deputet do të merrem me menaxhimin e institucioneve shtetërore, problemin e institucioneve të sigurisë, vettingun, institucionet e drejtësisë, në luftën anti-korrupsion do të jem njeriu kryesor për ta udhëhequr. S’po kanë ku me u kapë dhe po merren me një fotografi. Këta do të jenë në plehra ku askush s’do të merret me ta”, ka thënë ai.

Tutje, Bajqinovci ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti, do t’i respektojë simbolet shtetërore të Kosovës nëse i fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër.

“Unë mendoj që Kurti s’do ta thyejë ligjin në ditën e parë kur do të jetë kryeministër. Çdo largim i simboleve është thyerje e ligjit. Garantoj që s’do ta thyejë ligjin, por do të punojë me ato simbole. Asnjë simbol nuk do të largohet”, ka shtuar ai.

Bajqinovci ka thënë po ashtu se lista e VV-së është më e mira në dallim nga “listat tjera me riciklime, e me njerëz në hetime”.

Ka thënë se PDK-ja e AAK-ja s’mund të dalin nga “udhëheqjet e komandantëve”.

Bajqinovci: Ismet Beqiri i takon të kaluarës

Mefail Bajqinovci, kandidat i VV-së për deputet, ka thënë se ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, s’e ka më përkrahjen në lagjen e tij, “Kodra e Trimave” në kryeqytet.

Sipas tij, Beqiri tashmë i takon “veç të kaluarës”.

“Besoj që Ismeti është e kaluar, siç është vetë i kaluar. I ka dal afati. Veç ju që i keni bë me ato videot ‘më s’futem me PDK-në’ duhet t’i vijë marre me dalë në rrugë. Vjen një herë në vit, për t’i mashtruar njerëzit. Nuk ndez më me njerëzit që kanë thënë s’futemi me PDK-në, e janë futur. Por VV e dini që s’futet në koalicion me PDK-në”, ka deklaruar ai në Interaktiv të KTV-së.

Bajqinovci ka thënë se VV-ja është kundërshtari i vërtetë i PDK-së dhe AAK-së, teksa ka thënë se kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, nuk e ka përkrahjen e partisë në garën për kryeministre.

“LDK s’del e para, besoj që Osmani do të sabotohet. Në informatat që kam, në LDK nuk mbështetet Osmani. Dihet kush kollitet aty. Po shihni tubimet e zbehta. Startin e pati elektrizues, por gjithçka ra pas një jave. Nuk besoj se do të ketë sukses”, ka thënë ai.


Bajqinovci thotë se Haradinaj “mbetet patriot veç për ushtrinë dhe taksën”

Mefail Bajqinovi, kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, i ftuar në Interaktiv ka thënë se sektori i shëndetësisë në Kosovë është e rrënuar.

“Të pretendosh ta rregullosh shëndetësinë për një vit, është e pamundur”, tha ai.

Bajqinovci, ka thënë se brenda javës së ardhshme, Vetëvendosja e bën publike programin me të cilin do të kandidojë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Për koalicionin PSD-AAK, thotë se “do të mbesin aty ku janë”.

“Hajninë po e luftojnë me patriotizëm. Patriot Haradinaj mbetet veç për Ushtrinë e Taksën”, tha ai.

“Haradinaj me atë taksë po do të mbijetojë. Por, jo s’do të mbijetojë. Me datën 7 partitë tjera politike do të dëshpërohen. Vetëvendosja vjen në krye të Qeverisë”, shprehet ai.

Bajqinovci ka folur edhe për rëndësinë që ka mërgata në këto zgjedhje.

“Kam informacione që mbi 100 autobusë do të vijnë nga mërgata. Për Vetëvendosjen është shumë e rëndësishme mërgata”, tha ai. / Koha.net