Balaj-Halimaj: Mytaher Haskuka u shndërrua në një kryetar arrogant

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate me anë të një postimi në rrjete sociale, kritikoi Mytaher Haskukën, pasi partia e saj njoftoi për daljen nga koalicioni qeverisës në Prizren.

Sipas Albulena Balaj-Halimajt, Nisma e solli Haskukën në krye të Prizrenit, ku përveç mbështetjes, ajo dhe deputeti Zafir Berisha arritën që të fusin në buxhet edhe shumë projekte që asnjëherë nuk janë realizuar nga Haskuka.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

” NISMA Socilademokrate dega në Prizren gjatë zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Prizrenit në vitin 2017 morri vendim që në balotazh të hyjë në koalicion në mbështetje të kandidatit të LVV-së Mytaher Haskuka!

Qëllimi i mbështetjes së kandidaturës së tij ishte që qytetit të Prizrenit t’i jepej mundësia të bëjë ndryshimin e modelit të qeverisjes dhe jo vetëm ndryshimin e qeverisë lokale në kuptimin e ndërrimit të partive që e kanë përbërë qeverinë lokale!

Fatkeqësisht, përkundër përpjekjeve nga NISMA Socialdemokrate që të vendoset një model transparent dhe i përgjegjshëm i qeverisjes, të njejtën gatishmëri nuk e gjetëm edhe te partneri i koalicionit LVV-ja!

Për dy vite të qeverisjes Nisma Socialdemokrate dha shembull pozitiv, prandaj puna e Nismës i pengoi Haskukës dhe jo vetëm se u tregua mosmirënjohës ndaj Nismës që e bëri kryetar, por edhe u tregua i painteresuar të mbështetë projektet që i sjelli Nisma këtu në Prizren.

Unë dhe Zafir Berisha si deputet të Nismës nga Prizreni futëm në buxhet projekte të cilat Haskuka nuk i ka realizuar, e që në qytetet tjera ato kanë filluar moti, dhe jo vetëm që nuk i ka realizuar, por ka tentuar që projekteve tona t’ua ndryshojë lokacionin.

Loja e kryetarit Haskuka nuk ka filluar me konkursin, por me shumë gjëra të tjera të cilat ne kemi pritur vazhdimisht se do të reflektojë, por ai ka vazhduar edhe më keq, prandaj një kryetar i cili iu gjunjëzua Nismës ta ndihmoj në zgjedhje u shëndrrua në një kryetar arrogant dhe shkarkoi drejtorin tonë njëanshëm, drejtor ky i cili punoi pa ndalë për të përmirësuar gjendjen e arsimit në Prizren! 
Duke i pasur parasysh këto që i ceka më lartë por jo vetëm këto, del qartë se Haskuka ka vendosur të vazhdojë modelin e qeverisjes të paraardhësve të tij!”

/lajme365/