Baldedaj paralajmëron padi për shpifje ndaj Haskukës

Shefi i Grupit të Anëtarëve AAK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Kryetarit të kësaj Komune, Mytaher Haskuka.

Shkak për një paralajmërim janë bërë akuzat e Kryetarit Haskuka ndaj Baldedajt për keqpërdorim të pozitës zyrtare në një proces të prokurimit publik.

Baldedaj ka qenë mjaft i ashpër ndaj Haskukës, të cilin e ka quajtur të totalisht të painformuar, ose të keq informuar.

“Është për keqardhje që ai as pas dy vjet “përvoje” si kryetar Komune nuk i di dhe nuk i ka mësuar gjërat elementare. Ai kryetar i thotë vetes, por nuk është, nuk po e ushtron të drejtën që ia jep ligji për vetëqeverije lokale”, ka shkruar Baldedaj në profilin e tij në rrjete sociale.

Ai më tej ka shtuar se “duhet të jesh tru peshku që edhe pas dy viteve nuk e kupton se se nuk ka teori me ndodh pagesa për një projekt që nuk ka pranim teknik, pa u nënshkruar nga komisioni i Zyres së prokurimit. Edhe nje fakt elementar nuk e e di dhe nuk e ka mësuar kryetari ynë tru peshku. Kontratat nuk i nënshkruan drejtori po zyra e prokurimit”.

Shefi i anëtarëve të AAK-së në Prizren ka paralajmëruar padi, siç e ka cilësuar ai, për të gjitha shpifjet e bëra ndaj tij nga ana e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të cilin Baldedaj e ka quajtur edhe turist.