Banka Botërore miraton projektin e fuqizimit të sektorit financiar në Kosovë

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në Washington DC ka miratuar një projekt të ri për Kosovën, Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar në Kosovë, për të përmirësuar qasjen në financa për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme, duke përfshirë bizneset fillestare, sipërmarrësit e rinj dhe bizneset në pronësi të grave, përmes forcimit të kapacitetit financiar dhe teknik të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Mbështetja financiare për projektin është €22.3 milionë ($25 milionë).

“Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të rritur qasjen në financa me qëllimin përfundimtar të rritjes së krijimit të vendeve të punës në sektorin privat”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

Projekti financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Financimi i këtij projekti ka afat kthimi (maturimi) prej 30 vjet, përfshirë këtu një grejs periudhë prej 5-vjetëve. Zbatimi i projektit do të bëhet nga FKGK, njofton Zyra e Bankës Botërore për Kosovën.