Barcelona tjetër hap fals, barazon me Osasunan, Ansu Fati futet në histori të skuadrës

Barcelona ka bërë edhe një tjetër hap fals në La Liga, në udhëtimin e saj tek Osasuna.

Në kuadër të xhiros së tretë në La Liga, Barcelona morri vetëm një pikë, pas barazimit 2:2 me Osasuna, shkruan lajmi.net.

Në ‘Estadio El Sadar’, ishte Roberto Torres që hapi serinë e golave në minutën e 7’, duke i dhënë epërsinë Osasunës.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e vendasve, por kampionët e La Ligës u kthyen fuqishëm në pjesën e dytë.

Ishte 16 vjeçari Ansu Fati ai që shënoi për 1:1, kur luhej minuta e 51’, për tu bërë kështu lojtari më i ri në histori të Barcelonës që shënon në La Liga, si dhe lojtari i tretë më i ri në histori të La Liga, shkruan lajmi.net.

Barca përmbysi gjithçka me anë të mesfushorit brazilian Arthur, në minutën e 64’, por nuk arriti të mbante epërsinë deri në fund.

Roberto Torres shënoi golin e tij të dytë personal në këtë përballje, vetëm 10 minuta para fundit, nga pika e bardhë, për t’i mohuar tri pikët kampionëve në fuqi.

Me këtë rezultat të regjistruar sot, Barca numëron vetëm katër pikë pas tri xhirove. /Lajmi.net/