Basha: 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet lokale të mbajtura sot në Shqipëri.

Basha ka deklaruar se 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste duke braktisur maskaradën e Edi Ramës.

“Shqiptarët braktisën në masë maskaradën e Edi Ramës. 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste. Edi Ramën e braktisën edhe socialistët sepse votuan më pak se në 2017-ën. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha më tej shtoi se “Edhe pse votimet ishin në çdo element të tyre sikur të ishin votime të brendshme të PS-së, u shoqëruan me manipulime masive. Votime të shumëfishta nga i njëjti person dhe mbushje kutish. KQZ kjo vegël e verbër e Edi Ramës shkeli çdo nen kushtetues. Rezultati i sotëm provon çdo akuzë që ne kemi bërë kundër Ramës”. Ju jam mirënjohës që iu përgjigjët thirrjet time për të refuzuar dhunën”, theksoi Basha.