Basha kërkon ndryshim të sistemit Parlamentar

Nga qyteti i Kurbinit, Lulzim Basha ka kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike u shpreh se do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin për sistemin e ardhshëm Kushtetues dhe Parlamentar. Kryetari i selisë blu tha se është i gatshëm që t’i përgjigjet kësaj reforme të thellë politike, duke përmendur këtu disa prej pikave, raporton Top Channel.

Ai shtoi se është i gatshëm që t’i përgjigjet kësaj reforme të thellë politike, duke përmendur këtu disa prej pikave.

“Ju do të vendosni nëse doni 100 deputetë të zgjedhur drejtpërdrejtë në zona maxhoritare, apo listë kombëtare-proporcionale, me votim të hapur, me lista të hapura ; më dy dhoma parlamentare, me një senat, i cili do të jetë gardiani i Kushtetutës, do të jetë gardiani i legjislacionit transparent.

Ju do të vendosni për ndarjen dhe balancimin e pushteteve që kurrë më një grup njerëzish mos të ju marrë peng juve dhe familjeve tuaja; mos marrë peng fëmijët e shqiptarëve!

Ju do të vendosni që këtu, në këtë vend, si kudo në Europë, zëri më i lartë të jetë zëri i sovranit; me referendume popullore kombëtare, me referendume popullore lokale, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me jetën dhe sigurinë tuaj. Ndërsa ne jemi gati, që t’i përgjigjemi kësaj reforme të thellë politike, me programin tonë, që është programi i shpresës”, tha Lulzim Basha. /Top Channel/