Bashkëpunëtori i Listës Serbe emërohet zëvendësministër nga Kurti

Gazmen Salijevic u emërua sot zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Salijevic ka falenderuar të gjithë për mbështetjen duke i ftuar që të punojnë bashkë për të përmirësuar pozicioni e komuniteteve në Kosovë.

“Të dashur miq, do të doja t’iu informoj se sot jam emëruar nga Kryeministri Albin Kurti si Zëvendës Ministër për Komunitete dhe Kthim. Do të doja falenderoj të gjithë për mbështetjen e tyre dhe t’iu ftoj të punoni së bashku për të përmirësuar pozicionin e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Faleminderit nga zemra Gazmen Salijevic”, ka shkruar Salijevic.

Por, muaj më parë Partia rome ‘Romani Iniciativa’ të cilës i takon vetë Gazmen Salijevic ishte akuzuar për bashkëpunim me Listën Serbe.

Kryetari i partisë egjiptiane (PLE), Veton Berisha kishte akuzuar partinë ‘Romani Iniciativa’ për bashkëpunim me Listën Serbe.

Sipas tij nga rezultatet preliminare të KQZ-së vërehet se subjekti Politik “Iniciativa Rome” është produkt i “Listës Serbe”, andaj edhe kjo parti kishte marrë vota në komunat që nuk ka fare romë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Iniciativa Rome kishte marrë 3827 vota, madje kjo parti kishte marrë vota edhe në komuna ku nuk jeton asnjë banor i komunitetit rom./Insajderi.org