Bashkim Mulolli implikon Avokatin e Popullit në përgjimet e skandalit korruptiv

Emri i Naim Çelajt, ish-zëvendësministrit i Drejtësisë, aktualisht Avokat i Popullit, është përmendur në video-incizimin e skandalit korruptiv të Lavdim Krasniqit.

Çelaj është implikuar në video-përgjim nga Bashkim Mulolli, një ish i burgosur për katër vepra penale, i shpallur dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë së Shtetit në rastin ndaj Krasniqit, ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në videoincizimin të cilin e ka publikuar Paparaci të mërkurën, ish i burgosuri Mulolli ia kujton Krasniqit një rast kur “ia ka çuar Naim Çelën”, derisa vazhdon të flasë për paratë që ia ka marrë Ardian Krasniqi, shoferi i Lavdim Krasniqit.

“Po pe di unë që e ka lëshu se qatëherë e kërcënova unë prej burgu… e kërcënova, tha shko te Lavdimi hiç mos ta nin se kom me e kry unë edhe me atë… që ta çova unë Naim Çelën… m’i ka marrë paret o vëlla!”, i thotë Mulolli, Krasniqit.

Paparaci, raportoi sot se disa veprime të Ministrisë së Drejtësisë, janë duke u cilësuar si ndërhyrje në aferën korruptive të Lavdim Krasniqit.

Hulumtimi i Paparacit zbuloi se zëvendësministri Blerim Sallahu, urdhëroi hetime për dalje nga burgu të Bashkim Mulollit. Ai është dëshmitar bashkëpunues. Misioni i tij ka qenë incizimi dhe zbulimi i aferave korruptive të ish-drejtorit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi.

Ministria po dëshiron që ta konstatojë daljen e tij nga burgu si të paligjshme.

Rrjedhimisht, incizimi i autorizuar nga Gjykata me pajisje të Policisë së Kosovës, po synohet të shpallet si provë e pa pranueshme në Gjykatë. Hedhjen poshtë të kësaj prove pikërisht me motivin se është e papranueshme e ka kërkuar edhe mbrojtja e Krasniqit në gjykatë.

Kjo provë është kryesorja në proces e cila konfirmon marrjen e shumave të mëdha të parave nga i akuzuari, Mulolli dhe të një veture në vlerë mbi 25 mijë euro për asistenten e Krasniqit, Marigona Berisha. /Paparaci.com