BE ndihmë Shqipërisë për COVID-19, Ogerta Manastirliu: Po përgatitemi për çdo skenar

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social, Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, ishin të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të paketës së katërt të mbështetjes së Bashkimit Europian për Shqipërinë, për të përballuar pandeminë globale të COVID-19.

Zonja Manastirliu u shpreh se qeveria shqiptare, por edhe autoritetet shëndetësore po përgatiten për hapjen e dy spitaleve të tjera COVID, me synim për t’iu përgjigjur çdo skenari të mundshëm.

“Jemi duke u përgatitur për hapjen e dy spitaleve të tjera COVID dhe për çdo skenar, sipas strategjisë për përballimin e situatës”, tha Manastirliu.

Teksa shprehu falënderim për vendet e Bashkimit Europian për mbështetjen, Manastirliu theksoi se po bëhen të gjithë përpjekjet, për të rritur kapacitetet testuese, kapacitetet laboratorike, për t’iu përgjigjur çdo situate që kjo epidemi mund të sjellë.

“Kemi tashmë katër struktura të dedikuara për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga COVID19. Dy spitale të cilat sot funksionojnë dhe të cilët ofrojnë kujdes shëndetësor për më shumë se 120 pacientë aktualisht ë cilët janë të dyshuar dhe të cilët vijojnë të marrin shërbime në këto spitale. Nga ana tjetër parapërgatitemi që në rast të shtimit të fluksit të pacientëve, të hapim dhe strukturën COVID3, ish-kirurgjitë në QSUT dhe më pas edhe COVID4, që është pikërisht kjo strukturë, të cilën e bëmë gati në një kohë rekord për të mundësuar zgjerimin e kapaciteteve. Jemi duke u përgatitur për çdo skenar, duke punuar fort për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore për krijimin e skuadrave rezervë në mënyrë që t’i përgjigjemi çdo situate”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu apeloi që mos të bëhet politikë me COVID-19, por tha se gjithkush duhet të japë kontribut në përballimin e kësaj pandemie.

“Mjekë të politikës dhe politikanë të mjekësisë duan të përfitojnë për të bërë politikë me virusin. Nuk bëhet politikë me virusin. Mjekët që punojnë në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” e dinë çfarë po shohin. Familjarët e të prekurve e dinë mirë ç’po përjetojnë, që presin aty poshtë për një lajm për të afërmit e tyre që vuajnë nga COVID19. Nuk është asnjëherë vonë për të kthyer faqen, për të bërë atë që është e nevojshme. Të rrisim ndërgjegjësimin përmes shembullit personal”, tha Manastirliu.

Ministrja u bëri thirrje qytetarëve dhe sidomos të rinjve të përshatten me normalitetin e ri për të respektuar rregullat e vendosura

“Nuk duhet të lejojmë virusin të fitojë terren. Virusi fiton terren nëse njerëzt e lejojnë atë. Gjëja që kërkohet sot është një përgjegjësi e gjithësecilit, për të bërë ato veprime të thjeshta, të cilat ndikojnë në uljen e përhapjes së infeksitonit: Distancimi, mbajtja e maskës, higjiena. Duhet të përfitojmë çdo ditë për të krijuar barrierën e nevojshme që ky virus të mos gjejë terren”, apeloi ministrja.

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca tha se do të vazhdojë mbështetja për Shqipërinë.

“Kënaqësi të jem përsëri me ju për herë të katërt për mbështetjen që Bashkimi Europian po jep për Shqipërinë. Vlera e këtyre pasijeve që janë sot këtu janë në fakt 650 mijë euro. Kjo është ndihmesa e katërt që japim. Me lejoni që t’i bashkangjitem thirrjes që i bëtë qytetarëve për të respektuar rregullat e caktuara të distancimit, higjienës dhe rregullat që rrjedhin nga akti normative për vendosjen e maskës së detyrueshme”, tha Soreca.

Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, në vlerën 4 milion Euro në këtë mbështetje të radhës janë të përfshirë: 15 respiratorë të lëvizshëm; 50 monitorë pacienti; 25 defibrilatorë; 20 EKG; 10 Eko fikse; 2 grafi të lëvizshme./en/