BE pritet të heqë kufizimet e eksporteve të mjeteve të emergjencës për Ballkanin

Komisioni Evropian po përpiqet të heqë vendet e Ballkanit nga lista e vendeve drejt të cilave nevojitet autorizimi i të gjitha vendeve anëtare për eksportet e pajisjeve mjekësore të emergjencës.

BE bllokoi nëpërmjet këtij mekanizmi eksportet e mjeteve jetësore, për të përmbushur fillimisht nevojat e vendeve anëtare. Por pas një letre që është dërguar nga ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit duket se ekzekutivi i BE-së po reflekton për përjashtimin e vendeve të Ballkanit nga ky kufizim.

“Kjo ishte një masë e përkohshme që u aplikua nga Komisioni Evropian në muajin mars dhe që pritet të mbetet në fuqi deri më 25 prill. Bëhet fjalë për një sistem autorizimi eksportesh për pajisjet e mbrojtjes personale që do të jetë në fuqi dhe që do të zhvillohet sipas situatës në terren”, deklaroi Daniel Rosario, zëdhënës i Komisionit Evropian.

I pyetur në konferencën e mesditës se çfarë po bëhet që Ballkani të përjashtohet nga ky sistem bllokues, zëdhënësi i Komisionit Evropian thotë se ditët e fundit Komisioni ka qenë në kontakt me disa vende anëtare dhe në bazë të informacioneve të marra po përshtasin sistemin e autorizimeve të eksporteve.

Ai thotë se një prej elementëve që përshtatën ka të bëjë me llojet e pajisjeve që janë subjekt i autorizimeve paraprake.

“Duhet të kemi më pak prodhime që do të mbulohen nga ky sistem, dhe një element tjetër është shtrirja gjeografike e këtij sistemi, në veçanti, se cilat vende jo-evropiane preken apo jo nga përshtatja e re. Ne morrëm një letër nga disa vende të Ballkanit në lidhje me këtë dhe ajo që mund të them është që kjo pikë po merrej në konsideratë. Komisioni është shumë i hapur ndaj argumenteve të kësaj letre, ka llogjikë aty brenda, dhe tashmë jemi në fazën e përfundimit të propozimit tone”, shprehet Daniel Rosario.

Komisioni pritet të bëjë të ditur ndryshimet në këtë sistem në ditët në vijim, duke marrë parasysh edhe vendet e Ballkanit që në nisje u trajtuan njësoj me të gjitha vendet e tjera të botës, edhe pse rajoni gjendet brenda kufinjve të BE-së. / Euronews.al

Tags: , ,