BE: Shtypi i lirë vendimtar për demokracinë

Bashkimi Evropian (BE) ka theksuar rolin thelbësor të shtypit të lirë në nderim të 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ne festojmë rolin thelbësor të shtypit të lirë jo vetëm si një transportues i një lajmi të besueshëm dhe të saktë, por edhe si një shtyllë e demokracisë”, tha Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE-së, në një njoftim me shkrim.

Mogherini shtoi se shtypi i lirë dhe liria e shprehjes janë thelbësore për demokracinë.

Ajo po ashtu theksoi potencialin e mediave për të mbështetur demokracinë, paqen dhe pajtimin.

“BE-ja punon për të bllokuar përhapjen e dezinformimit që nxit urrejtjen, ndarjen dhe mosbesimin në demokraci”, shtoi Mogherini.

Siç theksoi ajo, BE-ja është e vendosur në zhvillimin e gazetarisë cilësore në mbarë botën duke mbrojtur shtypin dhe lirinë e mediave.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit në vitin 1993 u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe më 3 maj shënohet çdo vit në mbarë botën.