Behgjet Pacolli takon Papa Françeskun në Vatikan

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, sot është pritur nga Papa Françesku në Vatikan, raporton Lajme365.

Pacolli dhe bashkëshortja e tij janë pritur në një audiencë në Vatikan.

“Sot Ati i Shenjtë Papa Françesku, më priti bashkë me bashkëshorten time Mashen, në një audiencë në Vatikan. Ishte nder dhe privilegj të përfaqësoj shtetin tonë te ri sot tek Papa Françesku”, ka deklaruar Behgjet Pacolli.

Pacolli ka treguar se me Papa Françeskun kanë diskutuar mbi marrëdhëniet e mira dhe kontributin e Selisë së Shenjtë ndaj Kosovës.

Image may contain: 1 person, standing

“Gjatë diskutimeve të përzemërta, ne evokuam marrëdhëniet e mira tradicionale dhe kontributin e Selisë së Shenjtë në Kosovë gjatë historisë sonë të trazuar dhe përballë sfidave të tanishme socio-ekonomike”, ka shkruar Pacolli në një postim në profilin e tij në rrjete sociale, raporton Lajme365.

Ai më tej ka vlerësuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Vatikanit dhe theksoi angazhimin e Papa Françeskut për paqe, tolerancë dhe harmoni ndërmjet popujve.

“Unë shpreha në emër të popullit të Kosovës vlerësimin për mbështetjen e Papa Françeskut ndaj Kosovës. Ne diskutuam për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit tradicional midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Papa Françesku shprehu afërsinë e tij me tërë popullatën e Kosovës dhe lutjet e tij për paqe tolerancë dhe harmoni multietnike dhe fetare ndërmjet popujve”, është shprehur Zëvendëskryeministri Pacolli.

“Ne jemi të bekuar me miqtë tanë dhe jemi shumë të nderuar për vëmendjen që Papa Françesku i jep Kosovës dhe qytetarëve tanë”, ka deklaruar në fund Pacolli.

Ky është postimi i plotë i Behgjet Pacollit.