Berisha i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për votat e ‘Romani Iniciativës’

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me një ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme dhe Komisionit Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa për votat e ‘Romani Iniciativës’.

Sipas Berishës, vendimet e Gjykatës Supreme dhe PZAP-së kanë qenë të pjesshme.

“Unë po e vazhdoj këtë betejën tim nga Inciativa Rome, e cila veç është konfirmuar nga PZAP, dhe Gjykata Supreme që kjo ka qenë e orkestruar të votave si parti rome por votat i ka të marrura në vendbanimet e komunitetit serb, dhe ne po kontestojmë që ai vendim cili ka qenë i pjesshëm dhe i njëanshëm, dhe i padrejtë ndaj neve”, tha ai.

Berisha përmendi vendimin i cili nga komuniteti boshnjak largoi Ardijana Hoxhiqin dhe vendosi Duda Baljen.

“Pasi ju e dini që përfaqësuesit e komunitetit boshnjak është largu dhe vendimi ka qenë i plotë për ta, ndërsa për ne ka qenë i pjesshëm. Duhet të i kthehet mandati komunitetit egjiptian, dhe unë kam shumë besim te Gjykata Kushtetuese sepse përndryshe komuna e Graçanicës ka me mbet vatra e manipulimit të votave”, tha ai.

Tutje ai tha që ka shumë dilema në krejt këtë proces.

“Në momentin kur u kërkua vota që të votohet Presidentja, përfaqësuesi i iniciativës rome erdhi dy ditë mbrapa dhe këtu ka diçka mbrapa, vet fakti që ju kanë anulu 900 vota tregon që ka pasur orkestrim”, theksoi ai.

I pyetur për pritshmërinë e tij nga vendimi që do jepet nga Gjykata Kushtetuese ai tha se pret që kjo gjykatë do merr vendim të prerë.

“Unë besoj fuqishëm që Gjykata Kushtetuese do marr vendim të formës së prerë dhe do heq votat e kontestuara dhe të vie rezultati i duhur, pasi nuk lejoj që gjykata do lejojë një deputet jo legjitim”, shtoi ai.

Berisha përveç në Kushtetuese u ankua edhe tek Avokati i Popullit për të kërkuar që mandatin për deputet ta ketë PLE dhe jo Romani Iniciativa.