Bideni paralajmëron Putinin në telefon: Do të marrim çdo masë kundër sulmeve tuaja

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë homologut të tij rus, Vladimir Putin, se Shtetet e bashkuara do të ndërmarrin çfarëdo veprimi të nevojshëm për t’i ndalur sulmet kibernetike nga Rusia, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Një gazetar e pyeti presidentin Biden pas bisedës njëorëshe me telefon me Putinin nëse Rusia do të përballet me pasoja dhe ai u përgjigj shkurt: “Po”.

Biseda telefonike mes dy udhëheqësve të shteteve më të fuqishme ushtarakisht në botë vjen pas takimit të tyre sy më sy muajin e kaluar në Gjenevë të Zvicrës.

Edhe pas samitit, në Shtetet e Bashkuara pati sulmte të reja kibernetike, përfshirë një që bllokoi 1.500 kompani amerikane këtë muaj, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Ia bëra shumë të qartë atij se Shtetet e Bashkuara presin që ata të veprojnë, nëse një operacion kibernetik vjen nga kjo tokë (Rusia) dhe nëse u japim informata të mjaftueshme për të zbuluar se kush qëndron prapa”, tha Biden para gazetarëve pas bisedës me Putinin.

I pyetur nga një gazetar nëse Shtetet e Bashkuara mund t’i sulmojnë serverët që po përdoren nga hakerët, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha: “Po”.

Megjithatë, pas bisedës së të premtes, Kremlini tha se Shtetet e Bashkuara nuk e kontaktuar Moskën rreth sulmeve kibernetike.

“Pavarësisht gatishmërisë së anës ruse që bashkërisht të shtypet aktiviteti kriminal në fushën e informimit, nuk është pranuar asnjë kërkesë nga departamentet përkatëse të ShBA-së muajin e kaluar”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Putinit.

Një zyrtar i lartë amerikan e mohoi pretendimin e Rusisë, duke i thënë agjencisë AFP se administrata e Bidenit ka bërë kërkesa të shumta specifike për të marrë masa.