Bie Qeveria austriake e kancelarit Kurz, zgjedhjet do të mbahen në shtator

Qeveria e Austrisë në krye me kancelarin Sebastian Kurz është rrëzuar pas votimit të mocionit të mosbesimit kundër tij në Parlamentin e Austrisë.

Mocioni ishte ngritur nga opozita austriake, gjegjësisht nga socialdemokratët e Austrisë (SPÖ) me përkrahjen e djathtistëve nga Partia e Lirisë (FPÖ).

Deri tek rrëzimi i kancelarit Kurz dhe qeverisë që ai udhëhoqi erdhi pas shpërthimit të skandalit të njohur si “afera Ibiza” ku ishte i përfshirë drejtpërdrejtë tashmë ish-zv/kancelari Heinz-Christian Strache, njëkohësisht kryetar i FPÖ-së që ishte në koalicion me konservatorët e Kurzit.

Pas rrëzimit të Qeverisë, presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, duhet të shkarkojë kancelarin Kurz. Pos kësaj, presidenti pritet të emërojë një qeveri të përkohshme, e cila duhet të udhëheqë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që parashihet të mbahen në shtator të këtij viti, ka raportuar CNN.

Pas votimit në Parlament, Kurz deklaroi se do të mbështesë qeverinë e përkohshme. 32-vjeçari Kurz, i cili është kryetar i Partisë Popullore të Austrisë, është kancelari i parë në historinë e Austrisë i cili rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit që prej Luftës së Dytë Botërore.