Bie ueb-faqja e Trustit pas votimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Ueb-faqja zyrtare e Trustit ka rënë nga sistemi pak minuta pasi Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që ua mundëson qytetarëve të tërheqin 10 për qind të mjeteve të Trustit pensional.

Qytetarët nuk mund të hyjnë në llogaritë e tyre në këto momente.

Ndërkaq, në një postim në Facebook, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar se janë të obliguar që të presin që ky Projektligj të nënshkruhet nga presidenti dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare, e më pas të lejohet aplikimi për tërheqje të kursimeve, transmeton Telegrafi.

“Besojmë që ky proces nuk do të marrë shumë kohë por nuk varet nga Trusti. Menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi, Trusti do ta bëjë të ditur uebfaqen ku do të mund të aplikohet për 10%-shin si dhe do të japim detajet për aplikim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës miratoi sot Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /Telegrafi/