Bilanci i pandemisë, muaj tragjik për Shqipërinë çdo ditë mesatarisht 2 vdekje dhe 75 raste të reja

Sot ishte dita e 7-të radhazi që autoritetet shëndetësore në Shqipëri raportuan 2 ose më shumë viktima nga COVID-19 duke bërë pothuajse një muaj që situata e pandemisë në Shqipëri të jetë në një prirje shqetësuese me një mesatare më shumë se 2 viktima dhe 75 raste të reja çdo ditë.

Kjo prirje shtyu Euronews Albanian të analizojë të dhënat statistikore të pandemisë së COVID-19 prej datës 19 qershor, data e parë kur u raportua për 3 viktima nga COVID-19 brenda një 24-orëshi në Shqipëri.

Asokohe, (më 19 qershor) bilanci i pandemisë ishte: 1,838 të diagnostikuar me COVID-19, prej të cilëve 1,114 ishin shëruar dhe 42 kishin vdekur – 682 raste ende aktive.

Më 17 korrik bilanci i pandemisë është: 3,906 (+2,068) persona të diagnostikuar me COVID-19, prej të cilëve 2,214 (+1,100) janë shëruar dhe 107 kanë vdekur (+65) – 1,585 raste aktive (+903).

Gjatë kësaj periudhe prej 28 ditësh mesatarisht:

  • u diagnostikuan pozitivë nga 75 (75.6) persona në ditë;
  • u shëruan nga 33 (32.9) të infektuar në ditë;
  • vdiqën nga 2 (2.3) persona në ditë;

Në mars-qershor pati dy periudha me 23 dhe 10 ditë në të cilat nuk u regjistruan viktima – periudha 30 prill-23 maj; 26 maj-5 qershor. Kjo ishte periudha më pozitive e pandemisë në Shqipëri, në të cilën filloi dhe lehtësimi i masave kufizuese ndërsa përgjithësisht numri i rasteve aktive mbeti i kufizuar nën 270 raste.

Mirëpo kjo situatë u përkeqësua më vonë. Nëse më 19 qershor kishte 682 raste aktive, situata aktuale është renduar tejmase. Për ta kuptuar këtë mjafton të themi se 737 raste aktive janë vetëm në qarkun e Tiranës, ndërsa totali bën fjalë për 1,585 persona të infektuar.

Gjatë 28 ditëve të fundit ka pasur vetëm 2 raste kur nuk janë shënuar viktima brenda 24 orëve dhe ku rastet aktive kanë qenë me prirje në ulje.

Vetëm më 22 qershor dhe 9 korrik nuk u deklaruan viktima, ndërsa vetëm sot dhe më 1 korrik numri i rasteve aktive pësoi ulje me 15 dhe 25 raste.

Më 13 korrik u regjistrua numri rekord prej 117 personash ditore të diagnostikuar si pozitivë me COVID-19, ndërsa në 8 ditë të tjera janë regjistruar mbi 80 raste.

Njësoj, ndryshe nga periudha e 3 muajve të parë, gjatë këtyre 28 ditëve pati dhe 5 ditë ku u raportuan më shumë se 3 viktima – bilanci më tragjik mbetet me 4 viktima brenda 24 orëve regjistruar në datat 30 qershor dhe 2-11-12-15 korrik.

Më 15 korrik u regjistrua viktima me moshën më të re, vetëm 21-vjeçe.

Kjo situatë e rënduar ka shtyrë ministrinë e Shëndetësisë të rishikojë strategjinë e pandemisë duke e vendosur me detyrim mbajtjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe duke ripërshtatur Spitalin COVID-2 (Spitalin Shefqet Ndroqi, Sanatoriumin).

Ndërkohë më 9 korrik në një fjalim në parlament ministrja e Shëndetësisë apeloi qytetarët që ta marrin seriozisht situatën pasi “pavarësisht investimeve sistemi spitalor mbetet delikat për të përballuar fluksin e madh të të sëmurëve me COVID-19”.

Vlen të thuhet se Shqipëria ka një prej mesatareve më të ulëta të të infektuarve dhe vdekjeve në rajon (38 vdekje dhe 1,109 të infektuar për çdo 1 milionë banorë), megjithatë ajo mbetet vendi që kryen më pak testime, me 10,911 teste për 1 milionë banorë, 7 herë më pak se sa Serbia./en/