Blerim Devolli intervistohet nga Komisioni Hetimor, nuk i aprovohet kërkesa që të largohen mediet

Pronari i Kompanisë “Dardanfon.net”, i cili sot po raporton para Komisionit Hetimor për Gjendjen në PTK dhe Vala, kërkoi nga komisioni që seanca e sotme ndaj tij të jetë e mbyllur.  Këtë kërkesë ai e bëri pasi që lexoi deklaratën nën betim, raporton Ekonomia Online.

“Unë së pari kisha kërkuar që në këtë komision të raportoj me dyer të mbyllura”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri, tha se seanca mbyllet nëse kështu konsiderojnë anëtarët e komisionit.

Kur Devolli u pyet pse ai kërkon që seanca të jetë e mbyllur, përgjigja e tij ishte : “Për shkaqe të afarizmit të kompanisë”.

Vendimin e Devollit e arsyetoi deputeti Milaim Zeka.

“Unë e mbështesë kërkesën e z.Devolli që seanca të mbyllet me dyer të mbyllura pasi ndoshta ai ka gjëra që nuk dëshiron t’i flas para publikut”, tha Zeka.

Me 8 vota për dhe 1 kundër konstatua që komisioni që po raporton Blerim Devolli, të jetë i hapur për media.