Blerim Syla paralajmëron bojkotim të punës nga Mjekët

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat.

Syla në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, e ka quajtur skandaloz këtë vendim.

“Vendimi është skandaloz, në kohën më të keqe ku do të ketë pasoja. Unë do të thërras për bojkot të punës dhe për këtë jam i gatshëm të përballem me ligjin”, pohoi ai për Telegrafin.

Ndryshe, sot gjatë ditës Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Pas pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e bërë për media ka thënë se ka ardhur në përfundim se ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.

“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhet në arsyetim të Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/