Borissov fiton zgjedhjet në Bullgari

Partia e qendrës së djathtë e kryeministrit Boyko Borissov në Bullgari ka shënuar fitoren në zgjedhjet lokale të së dielës, por ka pësuar një rënie të ndjeshme të popullaritetit.

Mediat bullgare shkruajnë se në qendrat e mëdha, në Sofje, Plovdiv, Burgas, Varna, Blagoevgrad, partia e Borissov eshte ne avantazh, në krahasim me partitë e tjera pjesëmarrëse në zgjedhje.

Në Sofje duket se Yordanka Fandakova e qendrës se djathte është drejt marrjes se mandatit të katërt, pas një gare të ashpër kundrejt kandidates së pavarur të mbështetur edhe nga partitë opozitare Maya Manolova, me një diferencë prej 9.2%.

Nëse asnjë prej kandidatëve nuk fiton 50 për qind, atëherë do të mbahet raundi i balotazhit. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 43%, nga 6.2 milionë qytetarë me të drejtë vote. Zgjedhjet e së dielës në fakt ishin një test për partinë e qendrës së djathtë GERB, të kryeministrit Boyko Borissov.

Por pavarësisht fitores, Borissov pësoi rënie të popullaritetit të tij, për shkak të akuzave për korrupsion ndaj figurave kyçe të partisë së tij. Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të shpallë rezultatin final pas përfundimit të procesit të numërimit të votave gjatë orëve në vijim.