Bozhoviq: Vrasësi të vihet para drejtësisë, pavarësisht se kush është ai

“ Institucionët duhet të angazhohen që të kryejnë punët e tyre, dhe me rëndësi është që vrasësi i Oliver Ivanoviqit të vihet para drejtësisë, pavarësisht se kush është ai”, ka deklaruar, Ksenija Bozhoviq, duke komentuar pohimet mediale për lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar për Millan Radojiçiqin. Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare SDP, Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar për RTV Kim se rreth lëshimit të fletëarrestit ndërkombëtar ka dëgjuar nga mediat, por nuk ka njohuri rreth detajeve.

“ Ka dy ditë që ky lajm është pompoz, dhe këtë e ka konfirmuar dhe prokurori, se është lëshuar fletëarresti për ekstradim të disa personave lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.Neve na mbetët të themi se institucionët duhet ta kryejnë punën e tyre, dhe më e rëndësishmja është që vrasësi i Oliverit , pavarësisht se kush është ai, të vihet para drejtësisë dhe përgjigjet për veprën makabre për vrasjen e liderit më me ndikim të serbëve në Kosovë”, shkurt ka komentuar, Ksenija Bozhoviq.