Brazili me numër rekord të rasteve me Covid-19 në 24 orë

Brazili ka regjistruar një rekord të rasteve të reja me COVID-19. Të mërkurën në Brazil është njoftuar për 67.860 të infektuar të rinj, ndërsa janë raportuar edhe 1284 të vdekur në 24 orët e fundit, shkruajnë mediumet e huaja.

Shteti në Amerikën e Jugut me 212 milionë banorë, ka regjistruar deri më tash 2.2 milionë të infektuar dhe 82.771 të vdekur. Por ekspertët thonë se pasi që nuk po bëhet numër i madh i testimeve, atëherë shifra reale është dukshëm më e madhe.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, po përballet me kritika pasi nuk i ka dhënë rëndësi të madhe pandemisë. Ai madje është infektuar edhe vet. Ai ka rezultuar pozitiv më 7 korrik, ndërsa edhe testin që e ka bërë të mërkurën ka dal pozitiv./koha/