Bregdeti sërish në Kuvend, Meta kthen ligjin: Përfiton një rreth i ngushtë njerëzish

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit” qe në thelb synonte përcaktimin e vijës bregdetare si pronë shtetërore.

Në 14 faqe argumentim, Meta rendit disa çështje që sipas tij e bëjnë të detyrueshme kthimin e ligjit shqyrtim duke filluar që nga koha e shqyrtimit.

Ky ligj u miratua në Kuvend brenda 7 ditëve nga depozitimi në një kohë kur debati dhe vëmendja publike ishte tek ndryshimet kushtetuese dhe për rrjedhojë, kjo nismë kaq e rëndësishme nuk mori vëmendjen e duhur.

Çështja tjetër që ndalet Presidenti është edhe mënyra se si do të zbatohet ky ligj.

Nisma parashikon se bregu i detit nga Velipoja në Ksamil do të jetë e gjitha pronë shtetërore por pa përcaktuar detaje se sa është kjo vijë bregdetare, sa metra hy në tokë dhe për rrjedhojë, Presidenti ka kërkuar që në këtë ligj do të duhet të ishte bashkëngjitur edhe një hartë se deri ku i shtrin efektet e tij.

Si çdo argument institucional, faqet e fundit i rezervojnë akuzat e drejtpërdrejta ku për presidentin kjo nismë duket se është bërë për të favorizuar një grup të caktuar njerëzish duke theksuar shprehimisht se është e pritshme që në praktikë të ndodhin abuzime të mëdha dhe se “ndërkohë që të gjithë pronarët e tjerë që kanë përfituar në mënyrë të ligjshme një titull pronësie, trajtohen në pasiguri të plotë për mundësinë e posedimit dhe përdorimit të pronës së tyre në të ardhmen, e cila pas ndërhyrjes me këtë ligj marrin statusin pasuri publike e patjetërsueshme. 

Meta e mbyll dekretin e tij duke theksuar se kjo nismë krijon bazën ligjore për shfrytëzimin e pasurisë publike të patjetërsueshme vijë bregdetare për interesa private nga një rreth i ngushtë subjektesh dhe duke apeluar ndaj deputetëve që të marrin në konsideratë këtë nismë gjatë rishqyrtimit të tij në Kuvend./en/