Burgun e Gurakocit, banorët e duan si muze

Banorët e Istogut, objektin e ish“Burgut të Gurrakocit” po kërkojnë që të mos rrënohet, por me anë të 1000 nënshkrimeve t’a merr statusin e muzeut.

Ky objekt njihet si një prej burgjeve më famëkeqe në Kosovë, ku pas Luftës së Dytë Botërore u maltretuan e u keqtrajtuan veprimtarë të shumtë shqiptarë, deri në kohën e luftës së fundit, e më pas shërbeu si kamp përqendrimi ku u mbajtën peng qindra qytetarë të Istogut, dhe jo vetëm nën tortura çnjerëzore.

Me këtë arsyetim, një grup i të burgosurve së bashku me banorët e asaj ane kanë nisur një peticion me një mijë nënshkrime, për të kërkuar që ish-Burgu i Gurrakocit të mos rrënohet, të marrë statusin e monumentit e më pas të shndërrohet në muze.

Sipas Burim Kabashit ish i burgosur, njëherit edhe njeri ndër iniciatorët, në ditët e para të javës peticioni do të dorëzohet në Komunën e Istogut dhe në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë.

Ndryshe, ndërtesa është e Ministrisë së Drejtësisë, kurse parcela i takon Komunës së Istogut. Në emër të asaj se objekti paraqet rrezik për qytetarët, Komuna ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Drejtësisë për rrënim, raporton Koha.