Bytyqi miraton kurikulën 0-5 vjeç, institucionet parashkollore kërkojnë anulimin e saj

Në kundërshtime të ashpra ka hasur vendimi i ministrit në largim të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, për miratimin e kurikulës bërthamë për fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç.

Vendimi që e posedon gazeta, është nënshkruar të premten më 20 shtator, shkruan sot Koha Ditore.

Kurikula për fëmijërinë e hershme po kritikohet nga Kolegjiumi i drejtorëve të institucioneve parashkollore dhe shoqëria civile.

Kjo pasi vlerësojnë se dokumenti është miratuar pa u marrë parasysh vërejtjet e adresuara në muajin prill kur kurikula ndodhej në diskutim publik. Për këtë arsye kanë kërkuar anulimin e saj.

Ministri Shyqiri Bytyqi nuk është përgjigjur për gazetën nëse në dokumentin final të kurikulës janë përfshirë vërejtjet e të gjitha palëve.

“Mjaft më me dezinformata të qëllimshme”, ka thënë Bytyqi në një përgjigje me shkrim pa dashur të japë sqarime në pyetjet e gazetës.

Kolegjiumi i drejtorëve të institucioneve parashkollore, të hënën, ka dorëzuar reagim në MASHT duke e kundërshtuar kurikulën e miratuar.