Ceremoni e rrallë në Vatikan, Papa lutet i vetmuar në sheshin e boshatisur

Në lutjen e tij në sheshin Shën Pjetri, Papa Françesku si rrallë herë lutet me një zë shumë shqetësues “Zot po të përgjërohemi, mos na braktis në këtë stuhi” .

Ajo se çka u pa sot në sheshin Shën Pjetri është shumë e rrallë dhe e pashembullt në histori.

Papa Françesku qëndron i vetëm në oborrin e kishës së bazilikës Shën Pjetri, në një transmetim drejtpërdrejt për të gjithë globin por para tij nuk po qëndron askush.

Një lutje e jashtëzakonshme e Papa Françeskut, e përshkruan gazeta Italiane Corrierre Della Sera.

Kjo lutje e Papës vjen në kohën kur coronavirusi ka gjunjëzuar Italinë duke shënuar mbi 9 mijë viktima për 35 ditë.

Ati i Shenjtë iu drejtua besimtarëve nga bazilika e boshatisur e Shën Pjetrit, përderisa lutja e tij u transmetua Live.

Muzgu ndriçuar nga zjarret përreth tij dhe muzika që përcjell lutjet e tij kumbojnë në heshtjen e plotë që kishte kapluar bazilikën e Shën Pjetrit.

Papa kishte veçuar disa citate nga Bibla, që kryesisht ishin lutje për kohë sprove.

Kjo është koha për të gjetur “forma të reja të mikpritjes, vëllazërimit dhe solidaritetit”, ishin njëra nga porositë e Papa Françeskut.

Kjo paraqitje e rrallë e Papës në këtë formë ishte një lutje për të ndaluar pandeminë që ka kapluar Italinë dhe globin.

Papa Françesku falënderoi dhe thuri lavde për mjekët, infermierët, policët, punëtorët e rendit dhe të sigurisë, punëtorët e fabrikave dhe të marketeve, të furrave dhe të gjithë ata që në këto ditë rreziku dhe nevojë për popullin Italian, kanë gjetur forcën po angazhohen jashtë çdo kapaciteti për të qenë në detyrë.

“Ceremonia e mbrëmjes ishte e rrallë dhe e paparë ndonjëherë në historinë e Vatikanit dhe selisë së shenjtë”, e përshkruan Corrierre Della Sera.

Italia është një ndër vendet më të goditura nga pandemia coronavirusit, e cila ka edhe numrin më të madh të viktimave nga COVID-19.

Frika më e madhe e autoriteteve Italiane është se nuk dihet se kur do të jetë “kulmi” i pandemisë.

“Nuk e kemi arritur kulmin, dhe as nuk e kemi kaluar”, kanë thënë nga Mbrojtja Civile.

Që nga data 15 mars në Itali numri i të vdekurve dhe i rasteve të reja të infektuara ka qenë vazhdimisht në rritje kurse ora 18:00 e pasdites në Itali është shndërruar në një moment heshtje kur Mbrojtja Civile raporton për gjendjen në 24 orët e fundit. / Kallxo.com